Polici Akuzohet se Goditi Fotoreporterin (TV)

Sipas prokurorit Ismet Ukshini, i pandehuri Faruk Ibrahimi në cilësi të personit zyrtar gjatë kryerjes së detyrave zyrtare ka keqtrajtuar fotoreporterin Vedat Xhymshiti.

Aktakuza thotë se i dëmtuari ishte duke bërë foto incizime të ngjarjeve gjatë protestës së organizuar nga Lëvizja Vetëvendosje, kur i pandehuri në një moment pa ndonjë pretekst ka goditur të dëmtuarin me bërryl në pjesën e poshtme të nofullës.
 
Sipas prokurorit i dëmtuari pas goditjes rrëzohet në tokë, alivanoset dhe humb vetëdijen.

I dëmtuari Vedat Xhymshiti, gjatë dëshmisë së tij, tha se ditën kritike ka qenë i angazhuar nga Rrjeti Britanik i Fotoreportereve për të përcjellë protestën në fjalë. Xhymshiti tha se në momentin e ngjarjes ishte prapa kordonit të policisë.

 “Kam dëgjuar një klithmë dhe jam kthyer mbrapa për të parë nga po vie klithma dhe kam parë që nga ana e Policisë së Kosovës po ushtrohej dhunë ndaj një protestuesi“, tha Xhymshiti.  

 Xhymshiti tha se këtë ngjarje ka dashtë ta dokumentojë, por ishte goditur nga polici dhe çka ka ndodhë pastaj nuk dinte.

Pas Xhymshitit, dëshminë e tij e dha edhe polici Rabit Xhemajli, i cili tha se dëmtimi i Xhymshitit ishte i paqëllimshëm.

 “Nga kolegët kishte fillu arrestimi i protestuesve, dhe gazetari kishte ardhë me shpejtësi  për të fotografuar, por edhe  kolegu – polici duke ardhë në ndimë kolegëve në arrestime dhe janë takuar trup për trupi dhe janë rrëzuar që të dy “, tha Xhemajli.

Edhe hetuesi i Inspektoratit Policor të Kosovës Kushtrim Hoda, dëshmoi  në këtë proces.

Ai tha se në bazë të pamjeve filmike është parë se Vedat Xhymshiti si pasojë e goditjes është shtrirë për toke dhe ka pas lëndime.

Sipas Hodës, një pjesë e deklaratës së të pandehurit nuk përputhet me deklaratat e disa policëve të marrë në pyetje.

Sipas tij, polici i pandehur thotë se është nisur të ju ndihmojë kolegëve të lënduar, ndërsa kolegët e tij që janë intervistuar kanë thënë se nuk ka pasur policë të lënduar.

Në këtë seancë munguan dëshmitarët Xhavit Latifaj me profesion gazetar dhe Besim Rexhepi polic.

Seanca e radhës mbahet më 2 prill.