Shtatorja e Carit Serb Shqetëson Shqiptarët e Maqedonisë

OJQ-ja shqiptare në Maqedoni, ” Zgjohu” ka reaguar pasi autoritet ngritën statujën e perandorit mesjetar serb në Shkup.

Sipas të dhënave historike, Dushani ishte kurorëzuar si car i serbëve pikërisht në Shkup në vitin 1346.

Ndërsa serbët e konsiderojnë Car Dushanin si hero kombëtar, OJQ-ja në fjalë e quan atë një “pushtues të Ballkanit Perëndimor” që nuk e ka vendin në Shkup.

“Ngritja e monumentit për një pushtues serb flet për krizë identiteti apo për serbofili”, tha OJQ-ja në një njoftim për shtyp.

Shtatorja është vendosur këtë javë te “Ura e Civilizimeve” në qendër të Shkupit, si pjesë e projektit të sponsorizuar nga qeveria për riorganizimin e kryeqytetit, të njohur si “Shkupi 2014”.

Ajo qëndron në mesin e 30 statujave tjera që përfaqësojnë figurat historike mesjetare nga rajoni.

Dushani ishte një nga sundimtarët më të sukseseshëm të Serbisë dhe në kohën e tij Serbia u bë shteti i më i fuqishëm në rajon.

Në Shkup, në vitin 1349 ai shpalli kushtetutën e Perandorisë Serbe, e njohur si Kodi i Dushanit, i cili konsiderohet si një nga aktet më të rëndësishme të Serbisë mesjetare. Dushani gjithashtu siguroi ngritjen e Kishës Ortodokse Serbe nga kryepeshkopata në patriarkanë.

Shqiptarët e Ballkanit nuk i kujtojnë sundimtarët serbë me nostalgji, ose simpati, kryesisht për shkak se mbretëria e Serbisë mori një pjesë të konsiderueshme të territorit në të cilin shqiptarët ishin komuniteti shumicë pas rënies së Perandorisë Osmane në Evropë në vitin 1912.

“Zgjohu”, tha se monumenti i Dushanit, i paguar nga qeveria e kryeministrit Nikolla Gruevski dhe i porositur nga ish-drejtuesit e komunës Qendër të Shkupit, konfirmon karakterin anti –shqiptar të projektit “Shkupi 2014 “.

Në tetor , kreu i ri i komunës Qendër, Andrej Zhernovski, ra dakord për ngritjen e monumenteve të shqiptarëve të njohur në territorin e komunës, në një përpjekje për të ulur tensionet me pakicën e madhe shqiptare në vend.

Kryetari i komunës i cili mori pushtetin gjashtë muaj më parë, tha se nuk do të pengojnë instalimin e tri monumenteve të shqiptarëve, pavarësisht nga fakti se ai kundërshton punën e mëtejshme në “Shkupi 2014 ” në përgjithësi.

Megjithatë, statujat e shkrimtarit shqiptar Pjetër Bogdani, Josif Bagerit dhe Nexhat Agollit, ministër në qeverinë e parë të Maqedonisë në vitin 1945, ende nuk janë vendosur ne piedestalet e tyre, edhe pse ato tashmë janë ngritur.