Shkolla e Gjelbër

Një shkollë fillore në Prishtinë mban emrin zyrtar Shkolla e Gjelbër. 

Atë e ndërtoi qeveria lokale në Prishtinë në bashkëpunim me Agjencinë Amerikane për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID) dhe objekti i saj ngrohet vetëm me energji alternative. 

Në shkollë janë instaluar panelet solare, të cilat shndërrojnë dritën diellore në energji, dhe pajisjet për ngrohje gjeotermale, me të cilat energjia nxirret nga toka. 

Ngrohja bëhet përmes gypave të instaluar në tokë në thellësi prej 124 metrash, nga energjia gjeotermale.

Gypat janë të vendosur në dysheme dhe mure të objektit të shkollës dhe ngrohen përmes ujit që kalon në to e të cilat shpërndajnë nxehtësinë në tërë hapësirën.

“Qëllimi i këtij projekti ka qenë reduktimi i konsumit të energjisë së prodhuar dhe krijimi i energjisë së ripërtrishme”, thotë Fahrije Latifi-Ratkoceri, drejtoreshë e Shkollës së Gjelbër, ku zhvillohet mësimi parashkollor dhe ai fillor nga klasa e parë deri tek e nënta. 

 
Panelet solare në Shkollën e Gjelbër  

 

Drejtoresha e shkollës shpjegon se në ditët kur ka diell objekti ngrohet edhe nga panelet solare të vendosura në çati të shkollës pasi që ato e ngrohin ujin.

“Instalimi i pajisjeve nga energjia alternative ka kushtuar rreth 600 mijë euro”, thotë ajo. 

Sipas saj, shkolla tash ka 600 nxënës në një hapësirë prej tremijë metrash katrorë. 

“Këto teknika ndikojnë edhe në cilësinë e ambientit pasi që reduktojnë përdorimin e lëndëve djegëse”, thotë Latifi-Retkoceri. 

 “Shkolla e Gjelbër” është ndërtuar në mars të vitit 2011 nga Komuna e Prishtinës në bashkëpunim me USAID dhe i gjithë projekti ka një vlerë prej rreth dy milionë euroshe. 

Drejtoresha thotë se shkolla paguan për rrymë nga KEK-u vetëm 1 mijë e 500 euro gjatë dimrit. Energjia elektrike, sipas saj, shfrytëzohet për kabinetet e informatikës si dhe për aktivizimin e pompës termike që rregullon nxehtësinë brenda objektit. 

Por, shumëfish më shumë vetëm për ngrohje shpenzon një shkollë tjetër në Prishtinë. 

Drita Hyseni, drejtoreshë e shkollës fillore “Naim Frashëri”, thotë se për këtë sezon dimëror Drejtoria Komunale e Arsimit iu ka ndarë rreth 6 mijë litra naftë për ngrohje. 

Objekti shkollor, sipas saj, ka një hapësirë prej 5 mijë metrash katrorë dhe ka 1 mijë e 200  nxënës. 

Nëse sasia e lëndëve djegëse e ndarë nga Komuna llogaritet me çmimin e naftës në treg që është 1.25 euro për litër, del se fatura dimërore e shkollës “Naim Frashri” vetëm për ngrohje mund të arrijë shumën e 7.500 eurove.

 
Pallati i Drejtësise  

 

Pallati i Drejtësisë do të jetë i Gjelbër 

Energjia alertnative do të përdoret edhe në Pallatin e Drejtësisë, i cili ndodhet në Hajvali dhe është duke u financuar nga Bashkimi Europian.

Ai pritet të finalizohet këtë vit, thotë Fatmire Terdevci nga zyra për informim e BE-së.

Objekti prej 52 mijë metra katrorë do të ketë sistemin gjeotermik me pompa termike si dhe panele solare të cilat do të shfrytëzohen për prodhimin e energjisë. 

Kostoja e paneleve solare është 18 mijë euro, ndërsa i tërë Pallati i Drejtësisë do të kushtojë 30 milionë euro, tregon Terdevci.

 
Sistemi i ngrohjes me energji alternative  

 

Energji termike në shtëpi

Energjia alternative në Kosovë nuk është duke u përdor vetëm në objekte, por edhe në shtëpi private.

Rrustem Sumaj është inxhinier i diplomuar në makineri dhe thotë se ka 14 vite që merret me vendosjen e pajisjeve të energjisë së ripërtrishme.

Energjia mund të prodhohet nga ajri, toka dhe uji por në Kosovë më i preferueshëm është burimi i ujit nëntokësor, thotë ai.

“Në disa vende në Kosovë nuk ka ujë dhe toka mbetët burimi tjetër që përdoret më shumë”.

Sipas tij, instalimi i paisjeve për energji alternative një shtëpi mesatare me 200 metra katrorë kushton rreth 20 mijë euro.

Ai vitin e kaluar ka instaluar sistemin e pompave termike që shpërndajnë nxehtësinë nga toka në shtëpinë e tij, e cila ndodhet në Raushiq të Pejës.

Tani, ai paguan rreth 300 euro rrymë gjatë tërë dimrit.

 
Rrustem Sumaj aplikon energjinë alternative në shtëpinë e tij