Krasniqi e Limaj Propozohen për Këshillin Drejtues të PDK-së

“Edhe pse padrejtësisht nuk ndodhet në mesin tonë, ai mbetet një nga figurat kryesore të partisë dhe natyrisht se ne e kandidojmë”, tha Ramadan Avdiu, teksa ka lexur në mënyrë alfabetike emrat e të propozuarve për Këshillin e Përgjithshëm të PDK-së, kur mbërriti tek emri Fatmir Limaj.

Avdiu i lexoi propozimet në emër të kryesisë së vjetër të PDK-së.

Pas leximit të emrave të Limajt, aktualisht në paraburgim, dhe Jakup Krasniqit, ish-sekretarit të përgjithshëm që e bojkoton konventën që filloi të dielën në mëngjes, delegatët e pranishëm kanë duartrokitur.

Në mesin e të propozuarve nga Kryesia është edhe ish-shefi i Shërbimit Informativ të Kosovës, Kadri Veseli, dhe Ministri Agim Çeku.

Të propozuar për Këshill Drejtues nga kryesia kanë ardhur 142 delegatë, ndër ta ministra, zëvendësministra, deputetë, këshilltarë dhe ish-ministra nga radhët e këtij subjekti politik.

Pas propozimeve të kryesisë kanë ardhur edhe propozimet nga degët e partisë, ku secili kryetar ka propozuar emrat nga degët përkatëse.

Paraprakisht është aprovuar projekt-statuti i ri i Partisë Demokratike të Kosovës.