Tribunali që e solli Qeveria Thaçi

Ka një muaj që plani për një EULEX të ri po diskutohet në Bruksel. Me emër tjetër, me më pak njerëz, me kompetenca ekzekutive më të zbutura dhe kompetenca këshillëdhënëse më të zgjeruara. Në fund të janarit 2014, zyra e znj. Ashton e ka hartuar një dokument: “Rishikimi Strategjik i EULEX-it” që u është dërguar shteteve anëtare të BE-së për shqyrtim dhe votim. Mandati i tanishëm EULEX-it i skadon ne qershor 2014.

Ndryshimi më dramatik sugjerohet për Prokurorinë Speciale të Republikës së Kosovës (SPRK) që tash udhëhiqet nga prokurorë ndërkombëtarë. Propozimi i paraqitur e vendosë në krye të prokurorisë një kosovar dhe pamundëson inicimin e hetimeve të reja nga prokurorë ndërkombëtarë, pa kërkesën e autoriteteve vendore, duke filluar qysh nga korriku 2014. 

Propozimi prek edhe panelet gjyqësore për raste të rënda krimi që deri tash kanë qenë të përbëra nga gjykatës ndërkombëtarë, e prej korrikut 2014, do të përbëhen nga panele me gjykatës kosovarë, dhe një gjykatës ndërkombëtar (përveç në rastet kur kërkohet shumica ndërkombëtare nga prokurori/ja i/e rastit).

Arsyetimi i parë në dokument për ndryshimin e propozuar është se “kapacitetet vendore janë fuqizuar” mjaftueshëm. Arsyetim që menjëherë kontradiktohet nga shtojca e dokumentit – “Vlerësim i Progresit të Arritur” – ku thuhet se “gjyqësia dhe prokuroria publike mbesin të dobëta në Kosovë” dhe “presioni politik dhe ndërhyrja në sistemin gjyqësor mbetet e lartë”.

Të njëjtin vlerësim negativ e jep edhe Raporti i Progresit (tetor 2013). Aty shkruhet që në Kosovë: “ka mungese kapacitetesh dhe dedikim për t’i hetuar krimet që bien nën juridiksionin e Prokurorise Speciale” (f. 11), “mbetet shumë shqetësuese ndërhyrja politike në punën e gjyqësorit” (f. 11), “nevojat për sigurim të personelit gjyqësor, dëshmitarëve dhe të akuzuarve duhet te adresohen” (f 12). “Kërcënimi i dëshmitarëve mbetet shqetësim i madh.” (p.50)

Është e qartë që BE-ja nuk mendon që kapacitetet vendore janë fuqizuar mjafteshëm që t’u lihen përsipër rastet e rënda të krimit. E pse ky rishikim i EULEX-it?

Arsyetimi i dytë e zgjidh misterin: “autoritetet vendore janë bërë më këmbëngulëse për tranzicionin e EULEX’it te kompetencat vendore.” 

Kjo është më e kuptueshme. Autoritetet vendore – apo Qeveria – janë nën presion të hatashëm prej  samilushtakëve, ramadanmujave, xhabirzharkëve të Kosovës, por edhe prej disa deputetëvet e zyrtarëve të larë qeveritar, kundër të cilëve mund të nisen hetime. Artikuj të mëparshmëm të Gazetës Jeta në Kosovë e konfirmojnë këtë – shih më shumë këtu dhe këtu.

Ata e dijnë që veç EULEX-i mund ti ndjekë ata. Kështu që bëjnë presion te Qeveria për ta hequr EULEX-in sa më shpejtë.

Kjo po na del pak si puna e Ligjit për Amnisti, ku në emër të integrimit të serbëve në veri, u vendos të amnistohen një numër veprash kriminale që ata i kanë kryer. Por doli që shqiptarët janë përfituesit më të mëdhenj të këtij ligji. Një artikull në Koha Ditore shkruan: “nga 1 mijë e 174 personat e amnistuar rreth 1 mijë e 100 prej tyre kanë qenë të dënuar për armëmbajtje pa leje. Gati që të gjithë janë shqiptarë.” Njëjtë me EULEX’in: në emër të situatës së re të krijuar pas dialogut me Serbinë, do ta rishikojnë gjithë mandatin e tij.

Çka po mbetet nga EULEX’i i vjetër është mandati për Veri,e sepse atje Qeveria – edhe pas marrëveshjes “historike” me Serbinë që premtoi integrimin e veriut – nuk ka qasje. Kështu që nevojitet për ta implementuar marrëveshjen me Serbinë: themelimin e gjykatave, integrimin e policëve serbë në forcat policore kosovare, doganat, lëvizjen e lirë etj. Si dhe pjesa e monitorimit dhe këshillimit, e cila është në fakt e panevojsme. Kosova i ka tri procese tjera përmes së cilave monitorohet e këshillohet nga BE-ja në fushën e rendit dhe ligjit: 1) Dialogu per Marrëveshjen Stabilizim Asociim, 2) Dialogu për Rend dhe Ligj, dhe 3) Dialogu për Liberalizimin e Vizave, përmes të cilit vendi merr këshilla nga BE-ja për ta përmirësuar legjislacionin dhe praktikën në fushën e rendit dhe ligjit, luftimit të krimit, korrupsionit etj. 

Janë dy probleme të mëdha me gjithë këtë rrëmujë:

E para është që nuk ka strategji paralele për fuqizimin e drejtësisë vendore. Kush na garanton që pas EULEX-it vendorët do merren me rastet e rënda kriminale? Që rendi dhe ligji nuk do të përcaktohen nga ramadanmujat, xhabirzharkët dhe samilushtakët e Kosovës? Që prokurorët tanë do të nisin hetime kundër njerëzve të fuqishëm të politikës dhe biznesit, nëse kanë provat e nevojshme se ata kanë kryer krime? Që hetuesia do të bashkëpunojë me ta? Që dëshmitë nuk do të vidhen? Që drejtësia nuk do ndahet veç për ata që nuk kanë “lidhje” me politikën dhe “të njofshëm” në gjykata?

Bashkëlidhur me propozimin për EULEX’in duhet të ishte një strategji për fuqizimin e prokurorisë dhe gjyqësorit në Kosovë. Që parasheh buxhet serioz për sistemin e drejtësisë, që parasheh roje për prokurorët dhe familjet e tyre, si dhe automjete të sigurta, që përfshin më tepër trajnim dhe staf përkrahës, legjislacion për bashkëpunim më të mirë me hetuesinë. Dhe mbi të gjitha, Qeveria dhe deputetët duhet të dërgojnë mesazhe të qarta që politika nuk do të përzihet në gjyqësi, që prokurorët nuk janë tradhtarë dhe jopatriotë, veç se ndjekin raste të krimeve të kryera nga njerëz të politikës. 

E dyta, është që me insistimin për dobësimin e EULEX-it, Qeveria solli në Kosovë një institucion të ri – Tribunalin për Krimet e Luftës në Kosovë – me kompetenca ekzekutive për t’i hetuar dhe gjykuar krimet e periudhës 1999-2000. Është e vetmja mënyrë që shtetet anëtare të BE-së do ta lejojnin dobësimin e EULEX-it: përmes themelimit të një institucioni edhe më robust se ai i pari. Tash Thaçi brengoset që një Tribunal i tillë mund ta prish imazhin e Kosovës. 

Në një kohë kur Tribunali i Hagës e mbylli mandatin e vet për shkak se besohet që vendet e Ballkanit mund t’i ndjekin krimet e luftës me institucionet vendore, për Kosovën niset një i ri. Kështu që, PO, Tribunali domosdoshmërisht do ta prishë imazhin e Kosovës dhe kjo le t’i shtohet listës së të arrituarve të Qeverisë Thaçi në Kosovë.

Por më brengosëse se kjo, është fakti që ne nuk po arrijmë të krijojmë zëvendësimin vendor të EULEX-it. Ndërlidhja mes politikës dhe krimit dhe influenca e politikës mbi drejtësinë, e pamundëson një gjë të tillë. Në fakt, e vetmja gjë që ne kosovarët kemi arritur të bëjmë në fushën e drejtësisë, është që përmes Ligjit të Amnistisë t’i falim mijëra kushërinj tanë që kanë mbajtur armë pa leje dhe kanë kryer krime të ndryshme prej pasluftës e deri vjet.